Nga Arjola Ajdini
Të jesh rom në Shqipëri  është diçka e vështirë. Në një vend të varfër si Shqipëria ku papunësia është e madhe, pagat janë të ulta e çmimet të larta gjërat ndërlikohen. Vështirë të bësh një jetë normale kur ke një rrogë minimale (apo hiç fare)  dhe një familje të madhe për t’u kujdesur. Sigurisht që kjo bëhet më e  vështirë  kur ti je pjesë e një komuniteti  që diskriminohet nga shoqëria. Mundësitë që ti të bësh një jetë normale, minimale,  janë të vogla. Kjo nuk do të thotë se nuk ka familje rome që nuk janë të integruara në shoqeri dhe nuk bëjnë jetë normale, sigurisht që ka, por numri i tyre është fatkeqsisht i vogël, dhe domethënës. Pjesa më e madhe e romëve jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të izoluar nga shoqëria.

Por çfarë dimë ne për romët dhe për origjinën e tyre?

Ndodh shpesh që kur flitet për komunitetin rom në Shqipëri në mendje na vijnë imazhe të mjerimit, varfërisë dhe papunësisë. Romët janë një komunitet i cili ka shumë probleme dhe është pak i integruar në shoqerinë shqipëtare. Megjithatë kjo nuk do të thotë që ata duhet të lihen të veçuar nga shoqeria dhe të trajtohen si të pabarabartë duke ju shkelur shpesh të drejtat. Romët kanë migruar nga India Veriore drejt Europës duke filluar që nga shekulli i 9-të deri në shekullin e 14-të e.s. Sipas disa burimeve kroate disa familje rome kanë mbërritur në Ballkan rreth shekullit të 14-të dhe janë vendosur në territorin shqipëtar rreth shekullit të 15-të. Të dhëna statistikore lidhur me numrin e romëve që jetojnë në Shqipëri mungojnë pasi nuk është bërë asnjëherë një rregjistrim i përgjithshëm. Mendohet se numri i tyre varjon nga 120 mijë deri në 150 mijë banorë.

Duhet theksuar se gjendja e këtij komuniteti nuk ka qenë kaq e rëndë sa paraqitet sot. Gjatë  periudhës së regjimit komunist romët kanë përfituar punësim, arsimim, strehim dhe janë integruar me popullsinë mazhoritare.

Me përmbysjen e regjimit komunist ata e humbën pozicionin që kishin duke shkuar në fund të shoqerisë. Sot komuniteti rom ka probleme të shumta që lidhen me punësimin, strehimin, regjistrimin e popullsisë etj .

Romët janë pjesë e shoqerisë sonë pavarësisht se kanë kultur dhe tradita të tjera. Prandaj ata duhet të trajtohen si të barabartë me pjesën tjetër të popullsisë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre që i takojnë me ligj. Pavarësisht se shpesh ne bëjmë sikur nuk i shohim ata janë kudo, në çdo rrugë, në çdo vend, janë pjesë e realitetit tonë por të lënë në harresë nga shteti dhe shoqeria. Ata janë të veçuar nga jeta politike dhe ekonomiko-sociale e vendit. Shumë pak familje përfitojnë ndihmë ekonomike dhe shumë të paktë janë ata që janë të punësuar. Arsimi ngelet problematik pasi një pjesë e kosiderueshme e tyre janë analfabet dhe janë shume të paktë romët që ndjekin arsimin e lartë .

Pavarëshisht se shoqata të ndryshme përpiqen t’ju vijnë në ndihmë këtij komuniteti gjendja paraqitet e rëndë. Pjesa më e madhe e tyre bëjnë punë të rëndomta, shumë janë të papunë dhe shumë të mitur punojnë. Strehimi mungon për disa prej tyre dhe kushtet në të cilat ata jetojnë janë jo higjenike dhe të mjerueshme. Nga ana tjetër shteti shqipëtar ka ligje të shumta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të  komuniteteve në Shqipëri, por ato nuk janë të zbatueshme dhe efikase për komuniteti rom.

Romët kanë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ne si shoqëri nuk mund t’i ndryshojmë e t’i bëjmë ata të ngjashëm me veten. Por duhet t’i pranojmë ata ashtu si janë dhe pa i paragjykuar. Një shoqëri demokratike, siç pretendojmë ne se jemi, respekton  diversitetin  kulturor dhe çdo individ të saj. Romët duhet të trajtohen si të barabartë me populsinë  maxhoritare dhe të respektohen të drejtat e tyre. Çdo njeri ka të drejtë të jetoj i lirë dhe si i barabartë mes të barabartëve, ky është dhe thelbi i demokracisë.