Liria e fjalës dhe e informimit janë në themel të një shoqërie demokratike. Gazetaria profesionale ka në thelb të drejtën e publikut për t'u informuar për faktet dhe opinionet. Këto udhëzime janë prodhuar si rezultat i seminarit të zhvilluar në Tiranë gjatë muajit Shtator 2018, organizuar nga Qendra Media Aktive me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Në këtë seminar morën pjesë gazetarë të rinj dhe me përvojë ku debatuan (dhe ranë dakord) mbi sjelljen etike në gazetari në ditët e sotme dhe sfidat në Shqipëri. Këto janë disa nga konkluzionet e nxjerra nga debatet e këtij organizimi. Ato janë udhëzime që rrjedhin nga prezantimet dhe diskutimet e mbajtura nga Thomas Wolkinger, Aleksandra Bogdani, Mark Marku, Oliver Vujovic, Blendi Salaj dhe pjesëmarrës të tjerë.

1. Në misionin e tij të komunikimit, gazetari është i detyruar të respektojë të vërtetën çfarëdo që mund të jenë pasojat për të, kjo për hir të së drejtës që ka publiku për t'u informuar.

2. Gazetari duhet të publikojë vetëm informacione të verifikuara. Nëse informacioni nuk vërtetohet, duhet të theksohet qartë se nuk është. Gazetari duhet të korrigjojë çdo informacion të publikuar që rezulton të jetë i pasaktë.

3. Është detyrë e gazetarit mbrojtja e lirisë së informimit dhe mendimit edhe kur këto të fundit përfaqësojnë forma kritike. Gazetari është kryesisht përgjegjës për lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit.

4. Gazetari ruan sekretin profesional dhe nuk zbulon burimin e informacionit të marrë në mënyrë konfidenciale.

5. Gazetari respekton privatësinë e individit për sa kohë që nuk ndërhyn në interesin publik. Interesi publik vjen i pari.

6. Gazetari nuk duhet të pajtohet dhe përdorë plagjiaturën, shpifjet dhe "lajmet e rreme".

7. Gazetari, në të gjitha rrethanat, tregon integritetin duke ndaluar çdo formë të pagesës së paligjshme të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Gazetari duhet të refuzojë çdo përfitim që vjen nga publikimi ose fshirja e informacionit.

8. Gazetari nuk duhet të publikojë imazhe të dhunës dhe brutalitetit për qëllime sensacionale.

9. Në lidhje me autoritetet publike, shoqatat, partitë politike, organet tregtare, kulturore dhe fetare, gazetari duhet të shmangë dëmtimin e ushtrimit të paanshëm dhe të pavarur të profesionit të tij.

10. Gazetari refuzon çdo presion dhe pranon udhëzime editoriale vetëm nga redaktorët e tij.

11. Gazetari nuk duhet të identifikojë keqbërës që janë në moshë të mitur. Gazetari gjithashtu duhet të shmangë identifikimin e fotove të të miturve për të ruajtur të ardhmen e tyre.

12. Gazetari nuk duhet të përdorë metoda të padrejta ose joetike për të marrë informacion, fotografi ose dokumente.

13. Gazetari duhet të përmbahet nga çdo kopjim dhe ri-publikim i materialeve të printuara ose audiovizive, të drejtat e transmetimit dhe shpërndarjes së të cilave janë të rezervuara.

14. Gazetari nuk duhet ta ngatërrojë misionin e tij të informimit me atë të reklamimit ose përhapjes së propagandës. Gazetari nuk mund të pranojë asnjë udhëzim direkt ose indirekt nga reklamuesit.

File Upload: